Bota

Trump vendos tarifa të reja gjithëpërfshirëse: Goditen mbi 50 shtete, përfshirë Indinë, Kanadanë dhe BE-në

Tarifat e reja gjithëpërfshirëse të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kanë hyrë në fuqi në mesnatë, duke goditur dhjetëra vende në mbarë botën. “ËSHTË MESNATA!!! MILIARDË DOLLARË NË TARIFAT PO RRJEDHIN TANI NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS!”, shkroi Trump në rrjetet sociale pak minuta para afatit të fundit në Uashington, DC.

Administrata e tij ka përditësuar listën e re të tarifave, duke i dhënë afat vendeve deri më 7 gusht për të arritur marrëveshje me SHBA-në dhe për të shmangur taksat e reja të importit, të cilat Trump i cilëson si “tarifa reciproke”.

India është goditur me një tarifë prej 50%, që hyn në fuqi më 27 gusht, nëse nuk ndalon blerjen e naftës nga Rusia. Tajvani do të përballet me një tarifë 20%, ndërsa Bashkimi Evropian ka rënë dakord për një normë 15% mbi eksportet e veta në SHBA.

Ndër masat më drastike është paralajmërimi për tarifë 100% mbi të gjithë gjysmëpërçuesit (çipat) e prodhuar jashtë SHBA-së. Megjithatë, prodhues të mëdhenj si TSMC (Tajvan), SK Hynix dhe Samsung (Koreja e Jugut) do të përjashtohen për shkak të investimeve të mëdha në territorin amerikan.

Në Azinë Juglindore, Laosi dhe Mianmari janë goditur me tarifa deri në 40%, për shkak të lidhjeve të tyre të forta tregtare me Kinën. Ekspertët thonë se politika e re synon të riformësojë sistemin tregtar global në favor të SHBA-së, duke shënjestruar vendet që, sipas Trump, kanë përfituar padrejtësisht nga tregtia ndërkombëtare.

Kanadaja është përballur me një rritje të tarifave nga 25% në 35%, si ndëshkim për, sipas Trump, “dështimin për të frenuar rrjedhën e fentanilit dhe drogave të tjera në SHBA”. Megjithatë, shumica e eksporteve kanadeze do të përjashtohen falë marrëveshjes USMCA.

Brazilit i është vendosur një tarifë 50%, si reagim ndaj kritikave të Presidentit Lula da Silva për kompanitë amerikane të teknologjisë. Trump gjithashtu ka kritikuar ndjekjen penale të ish-presidentit Bolsonaro, duke e quajtur “gjueti shtrigash”.

Ndërsa disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Japonia dhe Koreja e Jugut kanë arritur marrëveshje për tarifa më të ulëta, të tjerat janë ende në negociata të ethshme me Uashingtonin për të shmangur goditjet ekonomike që pritet të kenë pasoja globale.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button