Trump e quan mik Kancelarin gjerman Friedrich Merz

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se është nder për të që ta ketë mik Kancelarin e Gjermanisë, Friedrich Merz, disa javë pasi ky i fundit kishte deklaruar se mes tyre nuk ka shoqëri, por vetëm marrëdhënie kolegësh.
Gjatë takimit me liderë europianë, Trump i komplimentoi secilin prej tyre. Për Merz, ai tha se është një “person shumë i fortë, lider i fortë dhe shumë i respektuar në Gjermani”. Më pas, presidenti amerikan e cilësoi atë edhe si mik të tij.
“Ai është edhe miku im dhe është nder ta kem atë si mik”, tha Trump, duke shkaktuar të qeshura kur u shpreh se i pëlqente edhe ngjyra që kishte marrë Merz, duke shtuar se edhe ai do të donte një ngjyrë të tillë.
Në një deklaratë të bërë në qershor, pas takimit të parë me Trump, Merz ishte shprehur se marrëdhënia mes tyre nuk ishte shoqëri, por një bashkëpunim i ngushtë si kolegë.
“Jo, është një bashkëpunim shumë i ngushtë. Ne u takuam për herë të parë sot, në funksionet tona si liderë, dhe shpresoj që do të jemi në gjendje të bashkëpunojmë ngushtë, hapur dhe si kolegë të mirë nga të dyja anët e Atlantikut”, kishte thënë atëherë Merz.