Kuvendi vazhdon nesër seancën konstituive, Presidenca e quan “urgjencë shtetërore”

Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se nesër (e mërkurë), nga ora 11:00, do të vazhdojë seanca konstituive. Vendimi pason publikimin e aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me këtë çështje, Presidenca e Kosovës ka kërkuar që institucionet të konstituohen me urgjencë, duke e konsideruar si një “urgjencë shtetërore”.
“Presidenca e konsideron urgjencë shtetërore konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve të dala nga vullneti i popullit. Në këtë periudhë të zhvillimeve dinamike në kontinent dhe sfidave globale që e prekin edhe rajonin tonë, krijimi sa më i shpejtë i institucioneve të reja në përputhje me procedurat e parapara në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese është jetik për stabilitetin, përfaqësimin demokratik dhe për adresimin e interesave të qytetarëve”, thuhet në reagim.
Ky institucion ka theksuar se zvarritja e deritanishme ka dëmtuar kredibilitetin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përparimin në arenën ndërkombëtare.
Në fund, Presidenca ka apeluar tek deputetët që të veprojnë me përgjegjësi, në frymën e bashkëpunimit dhe mirëbesimit, “në mënyrë që shteti të ecë përpara i konsoliduar dhe të përmbushë proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, si brenda ashtu edhe jashtë vendit”.