Lajme

Tragjedi në Klos: Humbet nën masivin e dheut 29-vjeçari, familjarët kërkojnë ndihmë për gjetjen e trupit

Një ngjarje tragjike ka ndodhur më 3 maj në qytetin e Klosit, ku shembja e një masivi minerali ka çarë një rezervuar uji, duke marrë përpara gjithçka që kishte përballë, përfshirë edhe një punonjës të ri që ndodhej në vendin e ngjarjes me një fadromë.

Viktima është 29-vjeçari Ardit Beshiri, i cili rezulton ende i zhdukur mes dheut dhe baltës që kanë mbuluar zonën. Familjarët e tij po vijojnë me përpjekje të dëshpëruara për të gjetur trupin, ndërsa ditën e sotme janë publikuar edhe fotot e të riut.

Në një apel emocional për ndihmë, babai i Arditit, Nerim Beshiri, ka kërkuar ndërhyrjen urgjente të shtetit me mjete të specializuara. Ai tha se prej tre ditësh, së bashku me familjarët, po kërkojnë me lopata dhe mjete rrethanore, pa asnjë ndihmë teknike.

“Ka tre ditë që vij me vëllezërit duke kërkuar me lopatë. Nuk ka asnjë lloj mjeti. Kërkoj ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të djalit. Të më gjejnë të paktën një gisht ta çoj në shtëpi, se nuk ka dhimbje më të madhe në botë se të humbësh djalin në mal,” – u shpreh ai mes lotësh.

Sipas rrëfimit të babait, Arditi kishte pesë vite që punonte në atë zonë, me kontratë dhe siguracione të rregullta. Ditën e ngjarjes, ai kishte dalë nga shtëpia në orën 06:00 të mëngjesit dhe pas drekës ishte kthyer në vendin e punës, ku ndodhi fatkeqësia.

Familjarët apelojnë sërish për ndihmë institucionale, në mënyrë që trupi i të riut të gjendet dhe të prehet i qetë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button