Lajme

Celibashi: Në fundjavë nis shpërndarja e pajisjeve elektronike për zgjedhjet, 156 ankesa nga diaspora për procesin e votimit

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një bashkëbisedim me gazetarët këtë të martë, bëri të ditur se përgatitjet për procesin zgjedhor janë drejt finalizimit, ndërsa njoftoi se në fundjavë do të nisë shpërndarja e pajisjeve për votimin elektronik në katër qarqet e fundit që ende nuk janë pajisur.

Celibashi sqaroi se shpërndarja e pajisjeve elektronike do të kryhet veçmas nga materialet e tjera zgjedhore. “Jemi në procesin e përgatitjes së shpërndarjes së bazës materiale në katër qarqet e mbetura. Në fundjavë fillon shpërndarja e pajisjeve elektronike,” u shpreh ai.

Në lidhje me votimin nga jashtë, Komisioneri bëri të ditur se janë 224,628 zgjedhës që kanë marrë dokumentacionin zgjedhor. Ai theksoi se numri i dërgesave gjatë ditës së hënë dhe të martë ka qenë i ulët për shkak të shërbimeve të reduktuara postare gjatë fundjavës.

Sa i përket problematikave të hasura nga diaspora, Celibashi bëri me dije se KQZ ka marrë deri më tani 156 raportime për ankesa nga votuesit jashtë vendit. Nga këto, 90 kanë të bëjnë me faktin se zarfi është lënë në hyrje të banesës ose në kutinë postare, 21 lidhen me refuzimin e DHL për të marrë zarfin e kthyer, 9 raportime për mungesë të fletës së votimit në dokumentacion (8 prej të cilëve janë ridërguar), 4 raste për mungesë njoftimi për mbërritjen e zarfit, dhe 3 raste ku zgjedhësit ende nuk kanë marrë zarfin. Po ashtu, janë evidentuar edhe 29 problematika të tjera të ndryshme.

“Çdo shqetësim e kemi adresuar, edhe në mënyrë joformale, përmes komunikimit të vazhdueshëm me DHL,” theksoi Celibashi, duke shtuar se vlerësimi për përmbushjen e kontratës me kompaninë do të bëhet pas përfundimit të procesit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button