Tirana pret Teutën në “Arenën Kombëtare” për javën e 35-të të Superiores

Federata Shqiptare e Futbollit ka konfirmuar se sfida mes Tiranës dhe Teutës, e vlefshme për javën e 35-të të Abissnet Superiores, do të zhvillohet në stadiumin “Arena Kombëtare”.
Për herë të parë këtë sezon, duke përfshirë edhe ndeshjet e Kupës së Shqipërisë, Tirana do të luajë tri sfida radhazi në stadiumin modern të kryeqytetit. Pas takimeve ndaj Bylisit dhe Partizanit, bardheblutë do të përballen me durrsakët në përpjekje për të rikthyer rezultatet pozitive.
Aktualisht Tirana ndodhet në vendin e tetë të renditjes, ndërsa Teuta mban vendin e gjashtë me dy pikë më tepër. Statistikat nuk janë në favor të bardhebluve, pasi në tri takimet e këtij sezoni ndaj Teutës, ata kanë arritur vetëm një barazim, ndërsa dy ndeshjet e tjera janë fituar nga skuadra durrsake.
Sfida pritet të jetë vendimtare për të dy ekipet në luftën për pozicionim sa më të mirë në tabelë.