Tifozët e Zenitit ofendojnë Mirlind Dakun në përballjen me Rubin Kazanin

Takimi mes Zenitit të Shën Petersburgut dhe Rubin Kazanit përfundoi me fitoren 3-0 të vendasve, por nuk munguan tensionet në tribuna. Një pjesë e tifozëve të Zenitit i drejtoi ofendime sulmuesit shqiptar të Rubin Kazanit, Mirlind Daku, 27 vjeç.
Kreu i Komitetit të Kontrollit dhe Disiplinës së Federatës Ruse të Futbollit (RFU), Artur Grigoryants, njoftoi për agjencinë RIA Novosti se episodi do të shqyrtohet dhe mbledhja disiplinore do të zhvillohet më 20 gusht.
Gjatë ndeshjes, Daku shënoi një gol, i cili u anulua pas ndërhyrjes së VAR-it. Ironikisht, sulmuesi ishte shumë pranë transferimit te Zeniti këtë verë, por në fund vendosi të qëndrojë te Rubini, që i rinovoi kontratën.
Rasti ka tërhequr vëmendjen e mediave ruse dhe pritet që Komiteti i RFU-së të vendosë për ndëshkimin e Zenitit për sjelljen e tifozëve.