Trump pretendohet si “kryepaqebërës”, por realiteti është më kompleks

Presidenti amerikan Donald Trump dhe administrata e tij kanë pretenduar së fundmi se kanë ndihmuar në zgjidhjen e gjashtë konflikteve ndërkombëtare, përfshirë ato midis Serbisë dhe Kosovës, Indisë dhe Pakistanit, si dhe Izraelit dhe Iranit. Megjithatë, analiza e bërë nga gazeta britanike The Guardian nxjerr në pah se këto deklarata shpesh janë të ekzagjeruara dhe nuk përputhen me realitetin në terren.
Gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë me udhëheqësit ukrainas, Trump u prezantua si “kryepaqebërës” dhe deklaroi se kishte përfunduar gjashtë luftëra që nga marrja e presidencës, duke theksuar se nuk kishte kërkuar armëpushime. Por historiku i tij tregon të kundërtën.
Në disa raste, konfliktet vazhdojnë të jenë aktive. Në Republikën Demokratike të Kongos, rebelët e mbështetur nga Ruanda nuk kanë respektuar afatet për armëpushim, ndërsa në Iran SHBA ka ndërmarrë sulme direkte para se të negociohej një armëpushim. India dhe Pakistanit, si dhe Tajlanda dhe Kamboxhia, kanë pasur ndërhyrje nga administrata e Trump, por armëpushimet janë arritur pas ndërmjetësimeve dhe jo për shkak të një “marrëveshjeje përfundimtare paqeje”.
Serbia ka mohuar çdo plan për të nisur një konflikt me Kosovën, pavarësisht se Trump ka marrë meritat për parandalimin e tij. Po ashtu, Egjipti dhe Etiopia nuk kanë arritur të zgjidhin çështjet rrënjësore, përfshirë kontestin mbi digën në lumin Nil.
Ekspertët vlerësojnë se deklaratat e Trump rreth konflikteve janë të mbivlerësuara dhe shpesh përdoren për të ndërtuar një imazh të fuqishëm diplomatik, ndërsa realiteti i negociatave dhe i armëpushimeve është shumë më kompleks.