Tërmet me magnitudë 4.3 godet Turqinë, ndjehet edhe në Stamboll

Një tërmet me magnitudë 4.3 të shkallës Rihter goditi mesditën e sotme rajonin juglindor të Detit të Marmarasë në Turqi, me epiqendër në Kios (Gemlik), pranë qytetit të Bursës.
Lajmi është konfirmuar nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive Natyrore dhe Emergjencave (AFAD), e cila raportoi se lëkundjet u regjistruan në të njëjtën zonë ku një ditë më parë ndodhën dy tërmete të tjera me magnitudë 4.2 dhe 3.9 ballë, me një diferencë kohore prej vetëm 70 minutash.
Lëkundjet e sotme janë ndjerë edhe në qytetin e Stambollit dhe zonat përreth tij, duke shkaktuar shqetësim në mesin e banorëve, ndonëse nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar.
Sizmologu turk, Suleyman Pambal, paralajmëroi se rajoni është i rrezikuar për shkak të vendndodhjes së tij në një çarje aktive tektonike.
“Duhet të jemi vigjilentë, është një zonë që ndodhet në një çarje aktive”, tha ai, duke nënvizuar nevojën për gatishmëri dhe monitorim të vazhdueshëm të aktivitetit sizmik në këtë rajon.
Autoritetet turke po vazhdojnë vlerësimin e situatës, ndërsa ekipet e emergjencës janë në gatishmëri për çdo rast.