Krasniqi pas takimit me Osmanin: PDK-ja ka gati lëndën për shkeljet kushtetuese nga LVV – kërkon kthim në normalitet për konstituimin e Kuvendit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se shpreson të gjendet një rrugëdalje nga ngërçi politik që ka bllokuar konstituimin e Kuvendit të ri, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Deklarata e tij erdhi pas takimit me presidenten Vjosa Osmani, e cila po zhvillon konsultime me liderët e partive parlamentare për tejkalimin e krizës aktuale institucionale.
Krasniqi tha se PDK-ja është e përgatitur me “lëndën për shkeljet kushtetuese të cilat janë bërë në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme në dy seancat e kaluara” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, duke iu referuar vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese. Ai shtoi se ky aktgjykim ka sjellë qartësi lidhur me rolet e palëve në procesin e konstituimit të Kuvendit.
“Edhe në këtë takim e rikonfirmova qëndrimin dhe gatishmërinë e PDK-së për të luajtur rolin tonë në gjetjen e një zgjidhjeje të krizës politike, sidomos tani që kemi qartësi nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili i ka bërë të qarta rolet e secilit, veçanërisht të koalicionit fitues që ka për detyrë të kërkojë konsensusin”, tha ai.
Sipas Krasniqit, aktgjykimi e ka bërë të qartë se nuk lejohet ndryshimi i mënyrës së votimit apo i rendit të ditës gjatë procesit konstituiv. Ai bëri thirrje që seanca të rikthehet në pikën fillestare – zgjedhja e kryetarit të Kuvendit – dhe që votimi të bëhet në mënyrë të hapur, siç është praktikuar më parë dhe siç e kërkon Gjykata.
“Duhet të sillet një propozim për kryetar Kuvendi që mund të marrë shumicën e nevojshme dhe të mos vazhdohet me bllokadë për interesa politike”, shtoi ai.
Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, kishte takuar më herët presidenten Osmani, duke deklaruar se partia e tij do të bëjë “çmos që në frymën e bashkëpunimit dhe kompromisit” të arrihet konstituimi i Kuvendit.
Ndërkohë, Presidenca ka theksuar se pret nga të gjitha partitë që të zbatojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka përcaktuar se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditëve nga mbajtja e saj, afat që përfundon më 26 korrik.
Situata mbetet e tensionuar, teksa pritet që takimet e tjera të presidentes me liderët e tjerë politikë të përcaktojnë nëse ekziston vullnet për tejkalimin e bllokadës që po mban të paralizuar funksionimin e Kuvendit të ri.