Bota

Tarifat 39% të SHBA-së ndaj Zvicrës hyjnë në fuqi – Vizita e presidentes Keller-Sutter dhe ministrit Parmelin dështon të sjellë marrëveshje

Delegacioni zviceran i udhëhequr nga Presidentja Karin Keller-Sutter dhe Ministri i Ekonomisë Guy Parmelin nuk arriti të shmangë vendosjen e tarifave të reja amerikane ndaj produkteve zvicerane, pavarësisht një vizite zyrtare në Shtetet e Bashkuara.

Që nga ora 6:00 e mëngjesit të së enjtes, tarifat prej 39% ndaj produkteve zvicerane kanë hyrë zyrtarisht në fuqi, njofton portali albinfo.ch, duke cituar një postim të Presidentit amerikan Donald Trump në platformën e tij Truth Social.

Përjashtim nga këto tarifa për momentin bëjnë vetëm produktet farmaceutike dhe mallrat që tashmë janë nisur drejt SHBA-së dhe do të importohen deri më 5 tetor.

Zvicra nuk është vendi i vetëm i prekur – thuajse 70 shtete të tjera janë përfshirë në këtë vendim të ri tregtar. Megjithatë, Bashkimi Evropian arriti të negociojë një shkallë më të ulët tarife prej 15%. Kjo e ka lënë Zvicrën në një pozitë më të pafavorshme, me analistët që shprehen të habitur pse vendi po ndëshkohet me një përqindje kaq të lartë.

Sipas korrespondentes amerikane Andrea Christen, nuk ka ndonjë shpjegim logjik për këtë vendim të Uashingtonit. Edhe pse në deklaratat publike të Trump është përmendur deficiti tregtar i SHBA-së me Zvicrën dhe numri i madh i importeve farmaceutike zvicerane, presidenti amerikan nuk ka shfaqur ndonjë qëndrim armiqësor të drejtpërdrejtë ndaj Zvicrës.

Në konferencën e fundit për media, Trump foli për tarifat kundër Indisë, por nuk përmendi fare Zvicrën. Ende nuk dihet nëse ndonjë nga lëshimet e propozuara nga Këshilli Federal gjatë vizitës në Uashington ka arritur t’i bindë zyrtarët amerikanë.

Më shumë informacione priten pas një takimi të jashtëzakonshëm që Këshilli Federal pritet të mbajë gjatë ditës së sotme.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button