Stuhi e fuqishme godet Slloveninë – shkakton dëme të mëdha materiale

Një stuhi e fuqishme ka përfshirë mbrëmë Slloveninë, duke sjellë me vete reshje të dendura shiu, bubullima intensive dhe erëra të forta, të cilat shkaktuan dëme të konsiderueshme materiale në disa rajone të vendit.
Sipas raportimeve nga mediat lokale, stuhia shoqërohej edhe me breshër të madh, i cili dëmtoi çati, theu dritare dhe shkatërroi fasada në ndërtesa të shumta. Makinat e parkuara në zona të hapura nuk i shpëtuan dëmeve, pasi shumë prej tyre u goditën nga copa të mëdha breshëri.
Në rajonin e Goriškës, një pemë u rrëzua mbi një makinë në të cilën ndodhej një shofer 31-vjeçar. Fatmirësisht, drejtuesi i mjetit nuk pësoi lëndime. Një tjetër pemë ra pranë një shkolle fillore në Šempeter, duke rritur shqetësimin për sigurinë në ambiente publike.
Instituti Meteorologjik i Sllovenisë (ARSO) njoftoi se fronti i ftohtë që kaloi mbi Evropën Qendrore është dobësuar, ndërsa mbi vend po forcohet një zonë me presion të lartë ajri. Si pasojë, sot pritet që moti në Slloveni të jetë pjesërisht me diell, me mundësi për reshje lokale, veçanërisht në pjesët e brendshme të territorit.
Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme në zonat ku rreziku nga pemët e rrëzuara dhe dëmtimet në infrastrukturë mbetet ende i lartë.