Lajme

SPAK merr në pyetje katër zyrtarë policie që takuan Roven Zekën gjatë arrestit, sekuestrohen celularë

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka marrë në pyetje katër zyrtarë të Policisë së Shtetit, të cilët rezulton se kanë zhvilluar takime me shefin e Qarkullimit Rrugor të Tiranës, Roven Zeka, gjatë kohës që ky i fundit ndodhej nën arrest në ambientet e bllokut të sigurisë, për shkak të dyshimeve për korrupsion.

Pas sekuestrimit të kamerave të sigurisë dhe verifikimit të hyrje-daljeve në ambientet e bllokut, hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) thirrën në pyetje zyrtarët për të sqaruar arsyet e vizitës së tyre te kolegu i ndaluar.

Të paktën tre prej këtyre zyrtarëve u janë sekuestruar telefonat celularë, të cilët po analizohen nga ekspertët për të zbardhur komunikime që mund të ndihmojnë hetimin.

SPAK i heton ata për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, pasi takimet me persona nën hetim nuk lejohen ligjërisht.

Në kuadër të të njëjtit hetim, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar edhe telefonin e një biznesmeni të njohur, i dyshuar si ndërmjetës në vendosjen e kontaktit mes Roven Zekës dhe një tjetër biznesmen, i cili dyshohet se ka ofruar ryshfet për të shmangur arrestimin e bashkëshortes së tij, të përfshirë në një aksident rrugor me disa të plagosur.

Krahas Zekës, janë arrestuar edhe shefi i sektorit të aksidenteve, Sokol Novaku, dhe oficeri i policisë gjyqësore, Edison Tabaku.

 

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button