Kriza e tregut për pataten e Stëblevës: Fermerët përballen me tonelata të pashitura

Edhe pse prej vitesh njihet për cilësinë dhe shijen karakteristike, patatja e Stëblevës po has vështirësi serioze në tregun vendas këtë sezon. Në zonën e Fushë-Studenit, në qarkun e Elbasanit, fermerët janë përballur me refuzimin e tregtarëve për ta blerë produktin, duke lënë tonelata të tëra patate të pashitura në magazina apo fushë.
Një verifikim në terren mjafton për të parë situatën e rëndë që ka mbërthyer kultivuesit lokalë. Fermerët tregojnë se tregtarët që vinin rregullisht për furnizim, këtë vit kanë ndaluar blerjet, duke u justifikuar se patatja po vjen nga importi.
“Na thonë se po marrin patate më lirë nga jashtë. Ne kemi harxhuar gjithë kursimet për mbjellje, plehra, ujitje dhe tani na ka mbetur prodhimi në dorë,” shprehet një nga fermerët, duke treguar se patatja e huaj po vjen, sipas tij, nga vendet fqinje dhe po shitet me çmim më të ulët.
Për banorët e kësaj zone, kultivimi i patates është e vetmja mundësi për të siguruar të ardhura dhe për të mbijetuar ekonomikisht. Në mungesë të ndihmës apo ndërhyrjes institucionale, ekziston frika reale se shumë prej tyre do të detyrohen të braktisin tokat dhe fshatin.