Grua 42-vjeçare godet me thikë bashkëjetuesen e ish-bashkëshortit, arrestohet në flagrancë

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Kamçisht të Beratit, ku një grua 42-vjeçare është arrestuar në flagrancë nga Policia e Beratit, pasi ka plagosur me thikë bashkëjetuesen e ish-bashkëshortit të saj.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasja P. Sh. ka sulmuar fizikisht me mjet prerës 41-vjeçaren B. I., pas një konflikti të çastit. Viktima ka pësuar plagë, por ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Burime nga policia bëjnë me dije se B. I. është nën hetim prej dy ditësh për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj djalit të bashkëjetuesit të saj – i cili është edhe djali i shtetases P. Sh.
Ndaj 42-vjeçares rëndon akuza “Plagosje e rëndë me dashje”. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat për vijimin e hetimeve.