Lajme
Kryesore

SPAK Dërgon për Gjykim Mark Gilajn për Akuzat e Kultivimit të Drogës dhe Aktivitetit Kriminal

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin Mark Gilaj, i akuzuar për një sërë veprash penale të rënda, përfshirë kultivimin e drogës, drejtimin e një grupi të strukturuar kriminal dhe mbajtjen pa leje të armëve.

Në një njoftim të SPAK, ndaj Gilajt rëndojnë akuzat për:

Kultivim të bimëve narkotike në bashkëpunim si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal,

Drejtim të grupit të strukturuar kriminal,

Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit luftarak,

Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë dhe sportive.

Hetimet zbuluan se më 25 korrik 2024, në një sipërfaqe livadhi pranë fshatit Selcë të Malësisë së Madhe, u gjetën 11,358 bimë narkotike të mbjella në tri parcela me një sipërfaqe totale prej 6,956 m². Bimët e llojit Cannabis cattiva kishin një lartësi nga 40 deri në 100 cm.

Gjatë një operacioni të policisë, Gilaj u arrestua në flagrancë dhe, në një kasolle të ndërtuar në zonë, u sekuestruan një pushkë model 56, një armë gjahu “SALSIMAZ”, dhe disa fishekë luftarakë.

Sipas SPAK, Gilaj ka pasur rolin udhëheqës dhe financues në këtë aktivitet të paligjshëm, duke bashkëpunuar me persona të tjerë në formën e një grupi të strukturuar kriminal. Hetimet vijojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tij, me procedimet penale që do të ndahen në vazhdim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button