Shqipëria përballë alarmit shëndetësor: 47% e të rriturve vuajnë nga hipertensioni

Të dhënat e fundit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) tregojnë se Shqipëria po përballet me një nivel shqetësues të hipertensionit. Rreth 47% e shqiptarëve të moshës 30–79 vjeç vuajnë nga tensioni i lartë i gjakut – një shifër shumë më e lartë se mesatarja botërore prej 34%.
Nga mbi 797 mijë persona të prekur, vetëm 49% janë të diagnostikuar, 38% marrin trajtim, ndërsa vetëm 11% e mbajnë nën kontroll gjendjen. Kjo e rendit Shqipërinë ndër vendet me përqindjen më të ulët të kontrollit në rajon, shumë larg objektivit global prej 50%.
Sipas OBSH-së, konsumi i lartë i kripës mbetet faktori kryesor i rrezikut. Shqiptarët konsumojnë mesatarisht 13 gramë kripë në ditë, më shumë se dyfishi i rekomandimit prej 5 gramësh. Përveç kësaj, 26% e të rriturve janë duhanpirës aktivë, ndërsa 24% rezultojnë fizikisht joaktivë, faktorë që e rëndojnë më tej situatën.
Në vitin 2022, sëmundjet kardiovaskulare përbënin gati gjysmën e të gjitha vdekjeve në vend, me 59 raste për 100 mijë banorë të lidhura drejtpërdrejt me hipertensionin.
Ekspertët theksojnë se Shqipëria ka një strategji kombëtare për luftimin e sëmundjeve të zemrës dhe tensionit, por zbatimi i saj mbetet i dobët. OBSH rekomandon forcimin e kujdesit parësor, rritjen e ndërgjegjësimit publik dhe përmirësimin e aksesit në trajtime efektive.
Hypertensioni është një nga faktorët kryesorë të rrezikut për sëmundjet e zemrës dhe goditjet në tru, që mbeten shkaku kryesor i vdekshmërisë në vend. Shqipëria tashmë përballet me një alarm shëndetësor që kërkon ndërhyrje urgjente.



