Kosova
Kryesore

AKB paralajmëron për krizë ekonomike: Bilanci tregtar i Kosovës alarmon

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka reaguar ashpër ndaj përkeqësimit të thellë të bilancit tregtar të Kosovës, duke e cilësuar situatën si alarmante dhe pasojë direkte të mungesës së politikave zhvillimore nga Qeveria e Kosovës.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë nëntë muajve të parë të vitit 2025, importet e vendit kanë kaluar 5 miliardë euro, ndërsa eksportet janë ulur me rreth 30 milionë euro krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie të brishtë, që konsumon produkte të gatshme nga jashtë dhe eksporton para të gatshme. Kosova po varfërohet çdo ditë, qytetarët po humbasin fuqinë blerëse, dhe prodhuesit vendorë po mbesin pa përkrahje. Nëse Qeveria vazhdon të heshtë, ky vit do ta gjejë Kosovën me deficitin tregtar më të thelluar në histori,” deklaroi kryetari i AKB-së, Agim Shahini.

AKB ka kritikuar modelin aktual ekonomik të vendit, duke theksuar se mbështetet kryesisht në ndërtimtari dhe tregti, ndërkohë që sektorë strategjikë si bujqësia, prodhimi, industria nxjerrëse dhe energjia po neglizhohen.

Për të përmirësuar situatën, AKB i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të ndërmarrë masa konkrete, duke përfshirë:

Subvencionim dhe përkrahje reale për prodhuesit vendorë;

Lehtësira për eksportuesit dhe hapje të tregjeve të reja;

Orientim të investimeve në prodhim, bujqësi, industri dhe energji;

Politika fiskale që rrisin fuqinë blerëse të qytetarëve;

Hartim të një strategjie kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Kosova nuk mund të ndërtojë mirëqenie mbi konsum dhe import. Pa prodhim, eksport dhe politika zhvillimore të guximshme, vendi do të mbetet i varur dhe i varfëruar,” përfundoi Shahini.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button