Shqipëria, ndër vendet me përqindjen më të lartë të mbipopullimit të banesave tek të rinjtë në Europë

Shqipëria renditet ndër vendet me përqindjen më të lartë të mbipopullimit të banesave tek të rinjtë, duke reflektuar një sfidë serioze sociale dhe ekonomike që lidhet ngushtë me tregun e pasurive të paluajtshme dhe nivelin e të ardhurave, ndërsa po shndërrohet në një faktor nxitës për emigracionin.
Sipas të dhënave më të fundit të Eurostat, për vitin 2021 – të fundit e raportuara për Shqipërinë – 70.3% e të rinjve shqiptarë (15–29 vjeç) jetojnë në kushte mbipopullimi, që nënkupton se një familje nuk ka mjaftueshëm dhoma në raport me numrin e anëtarëve.
Ky tregues e rendit Shqipërinë në vendin e dytë në Europë, pas Malit të Zi me 72.5% (2022). Në Serbi kjo shifër është 60.8%, ndërsa në Maqedoninë e Veriut 43.4%. Për Kosovën mungojnë të dhëna të raportuara. Në kontrast, mesatarja e Bashkimit Europian është vetëm 26.5%, ndërsa në vendet e eurozonës zbret në 22.7%.
Vendet e Europës Veriore dhe Perëndimore shfaqin nivelet më të ulëta të mbipopullimit tek të rinjtë: Holanda vetëm 4.3%, Finlanda 7.7%, Danimarka 8.1% dhe Gjermania 10.5%. Po ashtu, edhe shtetet e zhvilluara të Europës Qendrore kanë përqindje shumë më të ulëta se Shqipëria, si Austria me 12.7% apo Franca me 12.5%.
Krahasimi i këtyre shifrave nxjerr në pah hendekun e madh mes vendeve të Ballkanit dhe BE-së sa i përket standardeve të strehimit për të rinjtë.
Çmimet e larta të banesave dhe pagat e ulëta, arsye për emigracion
Mbipopullimi i banesave në Shqipëri lidhet ngushtë me dy faktorë kryesorë: të ardhurat e ulëta dhe çmimet e larta të apartamenteve. Të dhëna të publikuara nga Monitor, bazuar në Numbeo, tregojnë se Shqipëria ka çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në Europë në raport me fuqinë blerëse.
Në Tiranë, çmimi i apartamenteve nis nga rreth 1,500 euro për metër katror, ndërsa paga mesatare bruto mujore për vitin 2024, sipas INSTAT, ishte 77.5 mijë lekë (rreth 770 euro). Pagat shqiptare mbeten rreth 30% më të ulëta se në vendet e tjera të rajonit, duke e bërë pothuajse të pamundur blerjen e një banese.
Kjo situatë detyron shumë të rinj të jetojnë në kushte të mbingarkuara me familjen, duke shtuar edhe më shumë prirjen për emigracion.
Sipas Eurostat, nga viti 2008 deri në vitin 2024, rreth 1 milionë shqiptarë kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë në një nga vendet e Bashkimit Europian, ku pjesa më e madhe janë të rinj që kërkojnë mundësi më të mira për punësim, strehim dhe jetë më cilësore.
Ky realitet po kthehet në një sfidë serioze për politikëbërësit shqiptarë, duke e bërë të domosdoshme hartimin e politikave konkrete që lehtësojnë aksesin e të rinjve në strehim.



