Policia e Kosovës zhvillon aksion të madh në disa qytete, arrestohen babë e bir në Pejë

Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të gjerë sot në disa lokacione të vendit, duke shënjestruar rrjete të dyshuara kriminale që merren me shitblerje të substancave narkotike.
Burime të Indeksonline bëjnë të ditur se janë bastisur rreth 25 lokacione në qytete të ndryshme, ndërsa në terren janë angazhuar njësi të shumta policore, përfshirë edhe njësitë speciale dhe hetuesinë.
Si pjesë e këtij operacioni, në Pejë janë arrestuar babë e bir, Kel Bajrami dhe Erald Bajrami, të cilët dyshohet se janë pjesë e një rrjeti të organizuar të trafikimit të heroinës, me shtrirje në tregun vendor dhe ndërkombëtar.
Sipas burimeve, ky është një prej aksioneve më të mëdha të zhvilluara kohëve të fundit në luftën kundër narkotikëve në Kosovë, dhe pritet që gjatë ditës të ketë detaje shtesë nga Policia e Kosovës lidhur me të arrestuarit dhe materialet e sekuestruara.



