Osmani në Nju Jork: Thekson rëndësinë e SHBA-së dhe koordinimit të politikës së jashtme të Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, po vazhdon vizitën e saj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku po merr pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork. Gjatë kësaj vizite, Osmani është takuar edhe me ndihmëssekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Boris Ruge.
“Ritheksova mirënjohjen e popullit të Kosovës për kontributin e vazhdueshëm të NATO-s në vendin tonë, si dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për anëtarësim në Aleancën Veri-Atlantike”, deklaroi presidentja.
Në një intervistë për Fox News, Osmani lavdëroi marrëdhëniet e ngushta mes Kosovës dhe ShBA-së, duke kujtuar ndërhyrjen amerikane në vitin 1999. “Sot ekzistojmë të lirë dhe si shtet sovran falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 95% e popullit tonë besojnë në lidershipin amerikan dhe qëndrojnë krah për krah me ShBA-në”, tha Osmani.
Vizita e presidentes në SHBA po ndodh në një moment delikat për marrëdhëniet Kosovë–ShBA, pas vendimit të Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik me Kosovën. Ky zhvillim ka nxitur debat të gjerë politik në Prishtinë, duke sjellë kritika për mungesë koordinimi mes institucioneve të larta të shtetit.
Ambasadori Albert Prenkaj tha për RTV21 se Kosova ka dështuar në politikën e jashtme nën Qeverinë Kurti 2, duke theksuar se “veprimet e pakoordinuara me shtetet sponsore të Kosovës kanë sjellë sanksione”. Sipas tij, komunikimi i ShBA-së dhe aleatëve është fokusuar te Presidenca, ndërsa vizita e kryeministrit në Shtëpinë e Bardhë është bërë “tabu”.
Edhe ish-diplomati Lutfi Bilalli thekson nevojën për koordinim mes presidentes dhe kryeministrit. “Është obligim kushtetues dhe interes shtetëror që Kosova të ketë një politikë të jashtme të unifikuar, sidomos në raport me aleatët e saj kryesorë”, tha ai.
Ekspertët e diplomacisë vlerësojnë se Osmani gëzon raporte më të besueshme me ShBA-në, por se Kosova duhet të tregojë kujdes më të madh për të ruajtur partneritetin strategjik me Uashingtonin dhe për të shtyrë përpara procesin e njohjeve të reja, dialogun me Serbinë dhe diplomacinë ekonomike.



