Shqipëria dhe Kosova ngjiten në renditjen e FIFA-s, rekorde të reja pas fitoreve të tetorit

Dy fitoret e rëndësishme të Shqipërisë në muajin tetor, kundër Serbisë dhe Jordanisë, pritet të kenë ndikim të drejtpërdrejtë dhe pozitiv në renditjen e FIFA-s. Të dyja këto ndeshje, veçanërisht përballja me Serbinë, kishin koeficient të lartë, ndaj stafi teknik i drejtuar nga Sylvinho i kushtoi rëndësi maksimale edhe miqësores ndaj Jordanisë, me synimin për të grumbulluar sa më shumë pikë në renditjen botërore.
Sipas përllogaritjeve paraprake, kuqezinjtë pritet të fitojnë katër pozicione në renditjen e ardhshme të FIFA-s, duke u ngjitur në vendin e 62-të. Ky progres e forcon më tej pozicionin e Shqipërisë në vazon e tretë për shortin e “play-off”-it të kualifikueseve të Botërorit.
Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesja e Kosovës ka regjistruar një ngritje të ndjeshme. “Dardanët”, të drejtuar nga trajneri Franco Foda, morën katër pikë në dy takimet e fundit ndaj Sllovenisë dhe Suedisë. Falë këtyre rezultateve, Kosova pritet të ngjitet me shtatë pozicione në renditjen e FIFA-s, duke u pozicionuar në vendin e 84-të — një rekord i ri historik për përfaqësuesen kosovare.
Si Shqipëria ashtu edhe Kosova po e mbyllin vitin me rezultate optimiste dhe me shpresa të mëdha për një vend në fazën “play-off” të kualifikueseve për Kupën e Botës.



