BE miraton planin pesëvjeçar të mbrojtjes: deri në vitin 2027 do të ngrihet “muri evropian i dronëve”

Komisioni Evropian ka miratuar të enjten një plan pesëvjeçar për mbrojtjen, që përfshin ndërtimin e një “muri të dronëve” në kufijtë lindorë të Bashkimit Evropian, i cili pritet të jetë plotësisht funksional deri në fund të vitit 2027.
“Qëllimi ynë është t’i forcojmë kapacitetet tona mbrojtëse për ta frenuar agresionin,” deklaroi komisionari i Mbrojtjes i BE-së, Andrius Kubilius, gjatë një konference në Bruksel.
Sipas planit të Komisionit, Rusia dhe Bjellorusia përbëjnë “kërcënimin më të madh” për sigurinë e bllokut, për shkak të shkeljeve të përsëritura të hapësirës ajrore të vendeve anëtare nga dronët rusë. Dokumenti thekson se “muri evropian i dronëve” do të bazohet në përvojën e Ukrainës dhe do të krijojë një ekosistem inovativ të dronëve dhe kundërdronëve, duke lidhur zhvillimin me prodhimin dhe përmirësimin teknologjik.
Ky plan vjen pas një sërë incidentesh ajrore, përfshirë hyrjen e 21 dronëve rusë në Poloni në fillim të shtatorit dhe fluturimet e dronëve rusë mbi Rumaninë. Këto ngjarje nxitën edhe nisjen e iniciativës “Roja Lindore” nga NATO-ja, që ka për qëllim forcimin e mbrojtjes ajrore të Evropës Lindore.
Ministrja e Mbrojtjes së Lituanisë, Dovile Shakaliene, tha për Shërbimin ukrainas të REL-it se shkeljet ruse “kanë ndihmuar shumë në krijimin e ndjenjës së urgjencës”. Ndërsa ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Jonson, i cilësoi incidentet “një kambanë alarmi për Evropën”, duke theksuar se BE-ja duhet të mësojë nga përvoja e Ukrainës dhe të bashkëpunojë me industrinë e saj të mbrojtjes.
Nisma për dronët është pjesë e paketës më të gjerë “Ruajtja e Paqes – Plani i Gatishmërisë Mbrojtëse 2030”, që përfshin përdorimin e aseteve të ngrira ruse për financimin e Ukrainës, prokurime të përbashkëta ushtarake dhe një paketë për mobilitet ushtarak për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe pajisjeve nëpër Evropë.
Kubilius tha se plani përfshin edhe zhvillimin e raketave me rreze të gjatë veprimi. “Në Evropë nuk po prodhojmë mjaftueshëm të tilla, prandaj duhet të rrisim prodhimin. Derisa ta arrijmë këtë, do të vazhdojmë t’i blejmë nga partnerët tanë transatlantikë,” u shpreh ai.
Dokumenti nënvizon rolin qendror të NATO-s në mbrojtjen e Evropës, por paralelisht thekson nevojën për kapacitete të pavarura evropiane. “Deri në vitin 2030, Evropa duhet të ketë një pozicion mbrojtës të fortë për t’i frenuar kundërshtarët e saj,” thuhet në plan.
Megjithatë, disa zyrtarë mendojnë se ky afat është tepër i vonshëm. Kreu i inteligjencës së jashtme të Gjermanisë, Martin Jaeger, paralajmëroi më 13 tetor se “nuk duhet të rrimë duarkryq duke supozuar se një sulm rus nuk do të ndodhë para vitit 2029”.
Ndërsa kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se Rusia do të mbetet kërcënim edhe pas përfundimit të luftës në Ukrainë.
“Rreziku nuk do të zhduket edhe kur të mbarojë lufta në Ukrainë. Është e qartë se duhet të forcojmë mbrojtjen tonë ndaj Rusisë,” tha ajo.
/REL/



