Bota

SHBA ngre avionët luftarakë pas zbulimit të një aeroplani rus pranë Alaskës

Shtetet e Bashkuara kanë ngritur avionët luftarakë pasi pranë Alaskës është vërejtur një aeroplan rus i tipit IL-20 COOT, i specializuar për zbulim dhe mbikëqyrje.

Incidenti ndodhi të enjten dhe është konfirmuar nga Komanda e Mbrojtjes Ajrore të Amerikës së Veriut (NORAD).

Në ndërhyrje morën pjesë një avion paralajmërimi të hershëm dhe kontrolli E-3 Sentry, dy avionë luftarakë F-16, si dhe një avion cisternë KC-135. Qëllimi i tyre ishte të monitoronin lëvizjen e aeroplanit rus brenda zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Alaskës (ADIZ).

Sipas deklaratës së NORAD-it, avioni rus nuk ka hyrë në hapësirën ajrore sovrane të SHBA-së apo të Kanadasë, por ka qëndruar në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

“Ky aktivitet i avionëve ushtarakë rusë në afërsi të Alaskës ndodh rregullisht dhe nuk konsiderohet si kërcënim,” thuhet në njoftim.

NORAD theksoi se përdor një sistem të shtresuar mbrojtjeje që përfshin satelitë, radarë tokësorë dhe ajrorë, si dhe avionë luftarakë, për të zbuluar dhe ndjekur çdo mjet ajror pranë hapësirës së Amerikës së Veriut.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button