Edon Zhegrova drejt Juventusit, refuzon ofertën e Marseille

Sulmuesi kosovar i Lille-it, Edon Zhegrova, ka vendosur të refuzojë ofertën e Marseille dhe të mbetet i fokusuar tek e ardhmja e tij, ndërsa Juventus ka hyrë fuqishëm në garë për të siguruar shërbimet e tij.
Sipas raportimeve të Tuttosport, drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” e shohin transferimin si shumë të favorshëm për raportin cilësi–çmim, teksa bisedimet me klubin francez pritet të përshpejtohen në ditët në vijim.
Edhe trajneri Igor Tudor e vlerëson lart talentin e 25-vjeçarit, duke nënvizuar fleksibilitetin e tij në fazën ofensive. Zhegrova mund të luajë si krah i djathtë, i majtë, trequartista apo edhe si sulmues i dytë në raste emergjente, duke e bërë një aset të rëndësishëm për skemat taktike të bardhezinjve.
I lindur në vitin 1999, Zhegrova shihet si një nga futbollistët më premtues të Kosovës, me Juventusin që duket i vendosur ta sjellë në Torino për të forcuar repartin ofensiv.