Shaqiri: “Jemi të gjithë të lumtur dhe duam të fitojmë trofeun në finale”

Xherdan Shaqiri, mesfushori me origjinë shqiptare i Basel, ka folur për sezonin e suksesshëm të ekipit dhe për sfidat që presin. Në një intervistë për “20 Minuten”, ai theksoi se skuadra është e fokusuar në arritjen e objektivave dhe përgatitet për ndeshjen e vështirë me Servetten, duke u shprehur optimist për mundësinë e avancimit.
“Po bëj çdo gjë që të jem i suksesshëm me Baselin. Tani mund të fokusohemi në ligë. Kemi ndeshje të vështirë me Servetten, por me stadiumin plot mund të bëjmë hapin para,” u shpreh Shaqiri.
Ai gjithashtu foli për finalen e Kupës, ku Basel do të përballet në një ndeshje të madhe për trofe. “Jam shumë i lumtur, të gjithë janë të lumtur. Në finale të kupës arrihet vetëm me shumë punë. Jemi të gjithë krenarë dhe duam të fitojmë trofeun në Bernë. Do të jetë një ndeshje e madhe në stadium të mbushur. Finalet e Kupës janë gjithnjë të veçanta,” shtoi ai.
Në këtë sezon, Basel po kalon një periudhë pozitive, duke udhëhequr kampionatin dhe duke synuar të dyfishojë suksesin me fitimin e Kupës së Zvicrës.