Sport

Serbia rrezikon dënim të rëndë nga FIFA pas incidenteve ndaj Anglisë

Kombëtarja e Serbisë mund të përballet me një dënim të ashpër nga FIFA, pas ngjarjeve të ndodhura gjatë ndeshjes me Anglinë në Beograd, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026.

Në aspektin sportiv, Serbia pësoi një humbje të thellë 0-5, me golat e Harry Kane, Noni Madueke, Ezri Konsa, Marc Guehi dhe Marcus Rashford. Por sfida u shoqërua me tensione të shumta në tribuna, të cilat pritet të kenë pasoja për Federatën Serbe të Futbollit.

Sipas mediave britanike, në stadium u shfaq një banderolë me mesazhin “Kosova është zemra e Serbisë”, ndërsa u dëgjuan edhe kore politike mbi Kosovën dhe Metohinë. Këto veprime kanë nxitur reagime nga autoritetet në Kosovë, të cilët i kërkuan FIFA-s dhe UEFA-s masa të menjëhershme.

Incidentet nuk u ndalën me kaq. Loja u ndërpre për disa minuta pasi një lazer u drejtua në fytyrën e mbrojtësit anglez Ezri Konsa, ndërsa spikeri i stadiumit paralajmëroi publikun për ndalimin e lazerëve dhe piroteknikës. Po ashtu, tifozët serbë përdorën fishkëllima artificiale për të hutuar lojtarët, ndërsa në tribuna shpërthyen edhe përplasje mes grupimeve të ndryshme, që sollën ndërhyrjen e policisë.

FIFA dhe UEFA ende nuk kanë dhënë një komunikatë zyrtare, por pritet që Serbia të përballet me gjoba të rënda dhe mbyllje të stadiumit për ndeshjet e ardhshme. Një dënim i tillë mund të bëjë që përballja e 11 tetorit me Shqipërinë në “Rajko Mitiç” të luhet pa tifozë.

Edhe ish-gjyqtari anglez, Keith Hackett, paralajmëroi pasoja të forta. “Përdorimi i lazerëve është i rrezikshëm dhe i papranueshëm. Raporti i arbitrit Clement Turpin dhe i vëzhguesit do të shkojë në FIFA, dhe Serbia do të marrë një dënim të rëndësishëm,” tha ai për “Football Insider”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button