
Njësitet për Anti-Kontrabandë të Doganës së Kosovës kanë ndaluar të martën një automjet në territorin e Prishtinës, bazuar në informata paraprake. Gjatë kontrollit, brenda tij janë gjetur produkte të padoganuara të llojit botox dhe fillerë, të cilat përdoren për qëllime estetike.
Në koordinim me prokurorin kompetent, është kryer kontroll edhe në një lokacion tjetër në Prishtinë, ku u gjet një sasi shtesë e këtyre produkteve. Vlera e përgjithshme e mallrave të ndaluara llogaritet rreth 5,000 euro.
“Duke marrë parasysh se këto produkte kanë kontakt të drejtpërdrejtë me trupin e njeriut, mungesa e kontrollit adekuat dhe transporti i parregullt i bën ato veçanërisht të rrezikshme për shëndetin e popullatës”, thuhet në njoftimin e Doganës.
Rasti po trajtohet si kundërvajtje doganore, sipas procedurave ligjore në fuqi.