Rutte dhe von der Leyen kërkojnë përpjekje shtesë për mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane nga dronët rusë

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka bërë thirrje të martën për përpjekje shtesë për të forcuar mbrojtjen e hapësirës ajrore të aleatëve evropianë, pas një serie shkeljesh dhe depërtimesh nga dronë rusë.
“Ne duhet ta mbajmë qiellin tonë të sigurt”, tha Rutte gjatë një konference për shtyp me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përpara një takimi me komisionarët e BE-së.
Ai përmendi incidentet e fundit, duke përfshirë depërtimin e dronëve në Poloni, hyrjen e avionëve rusë MiG-31 në hapësirën ajrore të Estonisë dhe prezencën e përsëritur të dronëve në Danimarkë, që shkaktuan ndërprerje të mëdha në trafikun ajror.
“Ne ende po vlerësojmë se çfarë fshihet pas sulmeve në Danimarkë, por për Poloninë dhe Estoninë është e qartë se bëhet fjalë për veprime ruse. Edhe nëse nuk është e qëllimshme, është pakujdesi dhe e papranueshme”, shtoi Rutte.
Ai mbështeti idenë e ndërtimit të një “muri të dronëve” për mbrojtjen e hapësirës ajrore evropiane, duke theksuar se “nuk mund të shpenzojmë miliona euro për raketa për të rrëzuar dronë që kushtojnë vetëm disa mijëra dollarë”.
Nisma, e promovuar nga Ursula von der Leyen, do të diskutohet nga liderët e Bashkimit Evropian gjatë samitit të mërkurën në Kopenhagë. Presidentja e Komisionit Evropian premtoi “veprime të menjëhershme për krijimin e murit të dronëve” dhe nënvizoi nevojën për një përgjigje të fortë dhe të bashkuar ndaj depërtimeve ruse në hapësirën ajrore të Evropës.



