Dëshmitari Jock Covey: UNMIK nuk e ka njohur Hashim Thaçin si komandant të UÇK-së

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, dëshmitari Jock Covey deklaroi të martën se Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK) nuk e ka trajtuar Hashim Thaçin si komandant.
“Unë flas në emër të UNMIK-ut. UNMIK-u nuk e ka trajtuar atë si komandant”, tha Covey.
Dëshmitarit iu prezantua një dokument që thuhet se Thaçi ia kishte dërguar Bernard Kouchnerit në cilësinë e Komandantit të Përgjithshëm të UÇK-së. Sipas kësaj letre, disa anëtarë të UÇK-së u kërkohej të mbajnë armë, por Covey deklaroi se ata nuk i janë përgjigjur kërkesës.
Ai u pyet gjithashtu për kohën kur mendohet se ka përfunduar konflikti mes UÇK-së dhe forcave serbe. “Sipas nesh, konflikti përfundoi me marrëveshjen që serbët të tërhiqen, që më duket se është nënshkruar më 20 qershor. Nuk më kujtohet thjesht, por ekziston dokumenti. Zbatimi i këtij dokumenti i dha formë zyrtare përfundimit të këtij konflikti”, tha Covey.
Dëshmitari mohoi gjithashtu se pas kësaj date kanë pasur dijeni për ndonjë përleshje të armatosur mes palëve dhe deklaroi se nuk kishte njohuri për ndonjë fshat apo qytet në Kosovë të rrethuar nga forcat serbe.



