Rusia përparon në Donjeck, Trump paralajmëron vendim për paqen në Ukrainë

Rusia njoftoi më 23 gusht se forcat e saj kanë marrë nën kontroll dy fshatra në rajonin lindor të Donjeckut, duke rritur presionin ndaj mbrojtjes ukrainase. Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se trupat kanë hyrë në Sredenje dhe Kleban-Bik, ndërsa ky i fundit shihet si një hap i rëndësishëm drejt qytetit të fortifikuar Kostiantinivka, në rrugën për në Kramatorsk, ku ndodhet një bazë e madhe logjistike e ushtrisë ukrainase.
Ky zhvillim pason njoftimin e një dite më parë, kur Moska tha se kishte marrë nën kontroll edhe tri fshatra të tjera në të njëjtin rajon, të cilin Rusia pretendon ta ketë aneksuar që nga shtatori i vitit 2022.
Përparimet e fundit ndodhin teksa perspektivat për një takim mes presidentëve rus dhe ukrainas po zbehen. Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, tha se “nuk është planifikuar ndonjë takim”, ndërsa presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, akuzoi Moskën se po përpiqet të zgjasë ofensivën.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se brenda dy javësh do të marrë një vendim “të rëndësishëm” mbi përpjekjet për paqe në Ukrainë. Ai paralajmëroi se Moska mund të përballet me “sanksione masive”, por shtoi gjithashtu se mund të “mos bëjë asgjë”.
/REL/