Ministri i Jashtëm i Holandës jep dorëheqje pas përplasjeve për sanksionet ndaj Izraelit

Ministri i Jashtëm i Holandës, Caspar Veldkamp, ka dhënë dorëheqje pas mbledhjes së kabinetit ku u miratuan sanksione kundër Izraelit, duke e dobësuar edhe më tej qeverinë e përkohshme dhe të brishtë në vend.
Bashkë me Veldkamp-in, edhe kolegët e tij nga partia e qendrës Kontrata e Re Sociale (NSC) u larguan nga kabineti, pasi debati i së premtes mbrëma përfundoi në një bllokim lidhur me masat më të ashpra kundër Izraelit.
Diskutimet erdhën vetëm një ditë pasi Holanda, së bashku me 20 vende të tjera, nënshkroi një deklaratë të përbashkët duke dënuar planet izraelite për ndërtimin e një vendbanimi të ri me 3,400 shtëpi në Bregun Perëndimor, që kritikët e konsiderojnë si një projekt që do ta ndajë territorin përgjysmë.
Në korrik, qeveria holandeze ndaloi hyrjen e ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë, Itamar Ben-Gvir dhe Bezalel Smotrich, në territorin e saj.
Veldkamp, ish-ambasador në Izrael, tha për agjencinë ANP se ishte “i gatshëm të merrte masa më kuptimplote”, ndërsa në deklaratën e dorëheqjes theksoi se “po jetojmë në një kohë tensioni të pashembullt gjeopolitik, ku diplomacia ka më shumë rëndësi se kurrë”.
Partia NSC e mbështeti qëndrimin e tij, duke akuzuar partnerët e koalicionit – Partinë Popullore për Liri dhe Demokraci (VVD) dhe Lëvizjen Fermer-Qytetar (BBB) – se refuzuan të pranonin situatën alarmante në Gaza dhe të ndërmerrnin veprimet e nevojshme.
Në muajt e fundit, mijëra qytetarë në Holandë kanë protestuar kundër luftës në Gaza. Vetëm në qershor, midis 100,000 dhe 150,000 persona morën pjesë në një demonstratë në Hagë – protesta më e madhe në vend në dy dekadat e fundit.
Dorëheqja e Veldkamp vjen në një moment kur ekspertët e mbështetur nga OKB paralajmërojnë se Qyteti i Gazës dhe zonat përreth janë në prag të një urie të shkaktuar nga njeriu, me rrezik rritjeje eksponenciale të viktimave. Organizata ndërkombëtare IPC ka shpallur deri më sot vetëm katër raste të urisë që nga themelimi i saj në vitin 2004, më së fundmi në Sudan vitin e kaluar.