RTK pa paga: Mbi 700 punëtorë mbesin pa të ardhura, Sindikata paralajmëron protestë më 6 gusht

Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka ngritur alarmin për mungesën e pagave për mbi 700 punëtorë të mediumit publik, duke e cilësuar situatën si jashtëzakonisht të rëndë dhe të papranueshme.
Në një komunikatë për media, Sindikata thekson se mosshpërndarja e pagave deri më 31 korrik përbën pasojë të neglizhencës institucionale, duke lënë pa të ardhura jo vetëm punëtorët, por edhe familjet e tyre.
“Nuk mund të pranojmë që punëtorët e RTK-së, të cilët çdo ditë mbajnë të informuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të mbeten pa të ardhura për shkak të neglizhencës institucionale”, thuhet në reagim.
Sindikata i ka bërë thirrje të gjitha institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë urgjentisht për të garantuar financimin e pagave, ndërsa ka ritheksuar se protesta e paralajmëruar për datën 6 gusht mbetet e pashmangshme.
“Ju bëjmë thirrje të gjithë kolegëve që të jenë të pranishëm dhe të bashkuar në këtë protestë”, thuhet më tej.
Sindikata ka paralajmëruar se në ditët në vijim do të publikohen edhe pikat e veprimit dhe detajet organizative të protestës së 6 gushtit, të cilat janë përmendur edhe në një konferencë për media të mbajtur më herët.
RTK përballet me krizën më të rëndë financiare të viteve të fundit, ndërsa punëtorët e saj mbesin në pritje të reagimit institucional.