Albulena Haxhiu reagon ashpër ndaj Speciales: “Pranimi i dokumenteve nga regjimi serb, i papranueshëm dhe i padrejtë”

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pasi Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova disa dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë edhe Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe strukturat e sigurisë serbe. Ajo e ka cilësuar këtë vendim si “thellësisht të papranueshëm” dhe si një “fyerje të hapur ndaj viktimave të luftës dhe sakrificës për liri”.
“Me shqetësim kemi marrë lajmin se Dhomat e Specializuara në Hagë kanë pranuar si prova materiale dokumente të dorëzuara nga institucionet shtetërore të Serbisë, përfshirë Departamentin e Sigurisë Shtetërore, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe të ashtuquajturën ‘Komandë për Kosovën dhe Metohinë’,” ka shkruar Haxhiu në një reagim publik.
Ajo theksoi se këto institucione janë pjesë e një regjimi që ka kryer dhunë sistematike, krime lufte, zhdukje me forcë, gjenocid, spastrime etnike dhe represion brutal ndaj popullit të Kosovës. Sipas saj, pranimi i dokumenteve të prodhuara nga ky regjim përbën një deformim të drejtësisë dhe rrezikon të relativizojë krimet e kryera.
Ministrja ka kritikuar një deklaratë të gjykatës, ku thuhet se “fakti që disa prova vijnë nga autoritetet serbe nuk përbën, në vetvete, një ndalesë për pranimin e tyre”, duke e cilësuar këtë qasje si juridikisht të gabuar dhe të padrejtë.
Ajo ka përmendur një nga kriteret thelbësore për pranimin e provave në proceset penale ndërkombëtare, që ka të bëjë me paanshmërinë e burimit. “Ky pretendim tronditës bie ndesh me praktikat e etabluara të drejtësisë penale ndërkombëtare”, theksoi Haxhiu, duke shtuar se refuzimi i gjykatës për ta marrë parasysh këtë kriter, ngrit dyshime serioze mbi paanshmërinë e vetë trupit gjykues.
Haxhiu e cilësoi të rrezikshëm përdorimin e dokumenteve të prodhuara nga një aparat shtetëror kriminal. “Nuk mund të ketë besim në dokumente që janë prodhuar jo për të ndërtuar drejtësi, por për të manipuluar të vërtetën, për të fajësuar viktimën dhe për të amnistuar kriminelin,” tha ajo.
Në përmbyllje të reagimit, ajo deklaroi se pranimi i dokumenteve të prodhuara nga regjimi i Slobodan Millosheviqit, i dënuar nga Gjykata Ndërkombëtare për krime lufte, e zhvesh Specialen nga çdo legjitimitet kushtetues dhe e shndërron atë në instrument të mohimit të së vërtetës dhe relativizimit të krimeve.
“Pranimi i tyre është jo vetëm i padrejtë, por politikisht i papranueshëm,” përfundoi Haxhiu.