Rafuna: ZRrE rrezikon të kryejë vepër penale nëse injoron aktgjykimin e Gjykatës Komerciale

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me qëndrimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), pas aktgjykimit të Gjykatës Komerciale që anulon tërësisht njoftimin për tregun e hapur energjetik, duke e cilësuar atë si një akt të kundërligjshëm.
Rafuna theksoi se janë në pritje që ZRrE të veprojë në përputhje me ligjin dhe të marrë për bazë vendimin e gjykatës.
“Deklarimi i ZRrE ka shkaktuar konfuzitet te bizneset, tek odat dhe te të gjitha palët. Aktgjykimi është shumë i qartë: anulohet tregu i hapur energjetik si akt i kundërligjshëm. Duhet të respektohet ky vendim, sepse nëse nuk respektohet, është vepër penale,” deklaroi Rafuna.
Ai paralajmëroi se në rast të moszbatimit të aktgjykimit nga ZRrE, komuniteti i biznesit do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm ligjorë dhe demokratikë për ta kundërshtuar këtë qasje.
“ZRrE duhet të tregohet profesionale dhe ta implementojë vendimin. Le t’i vazhdojë procedurat ligjore, ashtu siç do t’i vazhdojmë edhe ne. Por mos t’i marrë në qafë bizneset dhe ekonominë e Kosovës, që është ndërtuar me mund,” u shpreh ai.
Gjykata Komerciale kishte vendosur anulimin e tregut të hapur energjetik, duke e konsideruar njoftimin për këtë treg si të kundërligjshëm, vendim që ZRrE ende nuk e ka zbatuar.