Kultur

Roskoveci mirëpret festivalin e parë “Roma Romale 2025”, një festë e kulturës dhe traditës rome

Për herë të parë në qytetin e Roskovecit është organizuar festivali “Roma Romale 2025”, një aktivitet kulturor që promovon traditën, muzikën, kërcimin dhe veshjet tradicionale të komunitetit rom. Ky festival mblodhi artistë dhe pjesëmarrës nga qytete të ndryshme të Shqipërisë, përfshirë Tiranën, Durrësin, Lezhën, Matin, Lushnjen, Delvinën, Ersekën dhe Fierin.

“Ishte një ide që na ka lindur më herët – tha kryebashkiakja Majlinda Bufi – por vetëm këtë vit arritëm ta realizojmë, duke e kthyer Roskovecin në një qytet ngjyrash dhe mikpritës të komunitetit rom nga e gjithë Shqipëria dhe më gjerë.”

Pjesë e festivalit ishte edhe një grup artistik nga Maqedonia e Veriut, nën drejtimin e Ermina Redjepovës. Ajo e vlerësoi këtë nismë si një ogur shpresëdhënës për integrimin e komunitetit rom, në një kohë kur Shqipëria aspiron të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, ku përfshirja e pakicave është ndër prioritetet kryesore.

Edhe përfaqësues nga qyteti i Klosit theksuan rëndësinë e këtij festivali, duke propozuar që ai të kthehet në një traditë të përvitshme. Besmir Dalipi, një prej spektatorëve nga Berati, u shpreh mes emocionesh: “Aktivitete të tilla na bëjnë të ndihemi të barabartë dhe duhet të vazhdojnë.”

Festivali “Roma Romale” solli ngjyra, muzikë dhe energji, duke promovuar fuqinë e kulturës si një mjet për ndërtimin e urave të bashkëjetesës dhe mirëkuptimit mes komuniteteve.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button