Kultur

Një vit pa Ismail Kadarenë, gjeniun e letrave shqipe

Sot bëhet një vit që nga ndarja nga jeta e shkrimtarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadare, i cili u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Figura e tij mbetet ndër më të ndriturat e kulturës shqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm që i dha prestigj letrave shqipe në arenën ndërkombëtare.

Kadare lindi më 28 janar 1936 në lagjen Palorto të Gjirokastrës dhe nisi krijimtarinë që në rini, me përmbledhjen poetike “Frymëzimet djaloshare” në vitin 1954. Studimet e larta i kreu në Tiranë për Gjuhë dhe Letërsi, ndërsa më pas vazhdoi për një periudhë të shkurtër në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë, të cilin e braktisi në vitin 1960 për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve shqiptaro-sovjetike.

Në vitin 1963 botoi romanin e parë, “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, që do të shënonte hyrjen e tij në letërsinë botërore. Krijimtaria e Kadaresë vijoi me vepra të fuqishme si “Kështjella”, “Krushqit janë të ngrirë”, “Kronikë në gur” dhe romani alegorik “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave”, që konsiderohet një nga më të guximshmit e kohës së diktaturës.

Pas vjeshtës së vitit 1990, Kadare u vendos në Francë, ku vazhdoi të krijonte dhe të përfaqësonte denjësisht letërsinë shqiptare. U dekorua me një sërë çmimesh ndërkombëtare, ndër të cilat “Man Booker Prize” dhe “Princi i Asturias”, dhe u krahasua me emra të mëdhenj të letërsisë botërore si Marquez, Grass dhe Kundera.

Në Shqipëri, ai u nderua me dekoratën “Nderi i Kombit”, ndërsa në Francë, ku jetoi për një pjesë të madhe të viteve të fundit, u ngrit në gradën e Oficerit të Lartë të Legjionit të Nderit nga presidenti Emmanuel Macron, në tetor 2023.

Veprat e tij janë përkthyer në mbi 45 gjuhë dhe lexohen sot në të katër anët e botës. Një vit pas ndarjes së tij nga jeta, trashëgimia që la pas Ismail Kadare mbetet udhërrëfyese për letërsinë dhe kulturën shqiptare.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button