Rodrygo i vendosur për Premier League – Arsenal destinacioni i preferuar

Anësori brazilian i Real Madridit, Rodrygo Goes, raportohet se ka përzgjedhur tashmë destinacionin e tij të preferuar në rast të një largimi të mundshëm nga “Santiago Bernabéu” këtë verë – dhe bëhet fjalë për Arsenalin.
Pas emërimit të Xabi Alonsos si trajner i ri i madrilenëve, kanë nisur ndryshime të thella në skuadër. Alonso, që zëvendësoi Carlo Ancelottin, tashmë ka mbikëqyrur afrimin e tre përforcimeve të bujshme: Trent Alexander-Arnold nga Liverpooli, Dean Huijsen nga Bournemouth dhe talentin premtues të River Plate, Franco Mastantuono.
Por krahas afrimeve, tekniku spanjoll po përgatit edhe largime, duke synuar ndërtimin e ekipit sipas filozofisë së tij. Një nga emrat më të përfolur për dalje është pikërisht Rodrygo, i cili thuhet se po e përjeton me frustrim mungesën e hapësirave nën drejtimin e ri.
Gjatë Kupës së Botës për Klube, braziliani është aktivizuar vetëm në një ndeshje, duke kaluar pjesën më të madhe të turneut në stol – një situatë që ka nxitur spekulimet rreth të ardhmes së tij.
Sipas të përditshmes spanjolle “Diario AS”, Rodrygo ka vendosur që nëse largohet nga “Los Blancos”, dëshiron të kalojë në Premier League, dhe konkretisht te Arsenali. Klubi londinez raportohet se është i gatshëm të ofrojë rreth 90 milionë euro për kartonin e tij, duke e konsideruar atë si zëvendësuesin ideal të Gabriel Martinellit.
Megjithatë, situata mund të ndërlikohet nëse Arsenali finalizon transferimin e Noni Madueke nga Chelsea, i cili pritet të zyrtarizohet në ditët në vijim.
Për momentin, trajneri Alonso nuk ka dhënë shumë detaje lidhur me të ardhmen e Rodrygos. Pas humbjes 4-0 ndaj PSG-së në Kupën e Botës për Klube, ai deklaroi: “Nuk janë marrë ende vendime për të ardhmen. Nuk kemi bërë shumë rotacion gjatë këtij turneu dhe konteksti do të jetë ndryshe në të ardhmen.”
E ardhmja e Rodrygos mbetet e paqartë, por një gjë duket tashmë evidente – ai është gati për një sfidë të re dhe Premier League mund të jetë stacioni i radhës për yllin brazilian.