Sport

Real Madrid vendos të largojë Mendy-n, Fran Garcia qëndron për sezonin e ri

Real Madrid ka nisur fazën e dytë të merkatos së verës, këtë herë duke u fokusuar në largimet nga skuadra, me trajnerin Xabi Alonso i kënaqur me përbërjen aktuale. Pas katër afrimeve të reja, numri i lojtarëve të ekipit të parë ka arritur në 25, gjë që e bën të domosdoshme shkurtimin e kontingjentit.

Një nga repartet ku priten lëvizje është mbrojtja e majtë. Me ardhjen e Alvaro Carreras, i cili pritet të jetë titullar sezonin 2025/26, dhe me Fran Garcian që do të qëndrojë si alternativë e parë, Real Madrid konsideron se ka mjaftueshëm thellësi në atë pozicion.

Fillimisht, Garcia ishte përfolur për një transferim të mundshëm te AC Milan, por paraqitjet e tij në Kupën e Botës për Klube duket se kanë ndryshuar mendjen e drejtuesve madrilenë. Sipas Diario AS, trajneri Alonso dhe klubi kanë vendosur që lojtari të mos largohet, duke e vlerësuar si një profil ideal për të konkurruar me Carreras pa krijuar rivalitet të tepruar për rolin e titullarit.

Në anën tjetër, Ferland Mendy është ai që pritet të largohet nga “Santiago Bernabéu”. Edhe pse rinovoi kontratën për tre vite të tjera, 30-vjeçari francez është kthyer në një problem për klubin për shkak të dëmtimeve të shpeshta gjatë vitit 2025 dhe refuzimit për të pranuar një rol rezervë.

Mundo Deportivo raporton se interesim për Mendy-n kanë shfaqur dy klube nga Ligue 1 – Marseille dhe Rennes – të cilat besojnë se mund ta transferojnë atë për një çmim “miqësor”, që llogaritet të jetë mes 10 dhe 15 milionë euro. Megjithatë, Real Madrid ka vendosur një çmim pak më të lartë dhe është në pritje të ofertës së duhur. Mendy aktualisht është në fazën e rikuperimit nga një dëmtim.

Ndërkohë, AC Milan, pas dështimit për të siguruar shërbimet e Fran Garcías, mund të rikthehet në garë – këtë herë për Ferland Mendy – si një zëvendësues potencial për Theo Hernandez, i cili tashmë është larguar nga kuqezinjtë.

Lëvizjet e verës pritet të vazhdojnë në javët në vijim, me Real Madridin që kërkon të balancojë skuadrën për sezonin e ri, ndërkohë që konkurrenca për çdo pozicion mbetet e fortë.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button