Sport

Real Madrid hyn në “El Clasico” si kryesuese, por me dilema për stilin e Xabi Alonsos

Real Madrid do të përballet me Barcelonën në “El Clasico” duke mbajtur kreun e La Ligës, me dy pikë më shumë se rivalët e përjetshëm. “Los Blancos” kanë treguar stabilitet në mbrojtje, por jo të njëjtën efikasitet në fazën sulmuese, ndërsa ende kërkojnë të harrojnë disfatën e rëndë në derbin ndaj Atletico Madrid.

Skuadra e drejtuar nga Xabi Alonso po shfaq një qasje të re taktike krahasuar me periudhën e Carlo Ancelottit. Madridistët po mbrojnë më lart në fushë dhe po ushtrojnë presion më agresiv pa topin, por në ndërtimin e lojës kanë hasur vështirësi për të thyer mbrojtjet kundërshtare. Në shumë raste, ata janë mbështetur te momentet individuale të yllit francez, Kylian Mbappé.

Sipas gazetarit Anton Meana për “Cadena SER”, Alonso njihet si trajner metodik dhe komunikues, që flet shpesh me lojtarët dhe u shpjegon vendimet paraprakisht, përfshirë edhe rastet kur ata do të mbeten në stol. Megjithatë, një pjesë e skuadrës është shprehur e lodhur nga numri i madh i analizave me video që stafi teknik zhvillon çdo ditë, shpesh për periudha të gjata kohe — diçka që nuk është pritur mirë në dhomën e zhveshjes.

Sfida kryesore e Alonsos mbetet performanca në ndeshjet e mëdha. Edhe pse Real Madrid ka mposhtur Juventusin, në atë takim “Zonja e Vjetër” krijoi disa raste të rrezikshme. Dy humbjet e vetme të trajnerit bask erdhën ndaj Paris Saint-Germain dhe Atletico Madrid, ku presioni i ekipit u thye lehtësisht, ndërsa loja në mesfushë dështoi të funksionojë siç duhet.

“El Clasico” kësaj fundjave do të jetë testi më i madh deri tani për Xabi Alonson dhe filozofinë e tij të re në “Santiago Bernabéu”.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button