Sport

Bruno Fernandes rrëfen bisedën me Ronaldon për ofertën nga Arabia Saudite: “Më tha: A je shumë i shtrenjtë për klubin?”

Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka zbuluar detajet e një bisede interesante që ka pasur me Cristiano Ronaldon gjatë verës, në kulmin e thashethemeve për një transferim të mundshëm të tij drejt Arabisë Saudite.

Gjatë afatit kalimtar të verës, mesfushori portugez ishte objekt i interesimit nga Al Hilal, skuadër e Ligës Profesionale Saudite, e cila ishte gati t’i ofronte një kontratë jashtëzakonisht fitimprurëse. Megjithatë, Fernandes vendosi ta refuzojë ofertën dhe të qëndrojë në “Old Trafford”.

Në një intervistë për “Daily Mail”, Fernandes tregoi se kishte folur me bashkëkombësin e tij, Cristiano Ronaldo, për situatën dhe e kishte dëgjuar me kujdes mendimin e tij.

“Gjëja e parë që më tha ishte: ‘A je shumë i shtrenjtë për klubin?’ Unë i thashë: ‘Nuk ka askënd që është shumë i shtrenjtë për atë klub!’ Fola me Cristianon për situatën, për Arabinë dhe gjithçka tjetër. Ai kishte mendimin e tij për atë që duhet të bëja dhe për mua ishte e rëndësishme ta dëgjoja,” u shpreh Fernandes.

Edhe pse e refuzoi ofertën këtë verë, Fernandes nuk e përjashtoi mundësinë e një transferimi në të ardhmen, duke theksuar se çdo vendim i mundshëm do të merret vetëm pas Kupës së Botës 2026.

“Nuk mendoj se ata ishin të lumtur që e refuzova ofertën, sigurisht. E kuptoj këtë, sepse paga ishte shumë e lartë. Ishte një diferencë e madhe për mua. Kam parë njerëz që thonë se kam një marrëveshje për sezonin tjetër, por nëse ekziston një e tillë, nuk është bërë me mua. Edhe agjenti im e di që nuk do të bisedoj me askënd deri pas Kupës së Botës,” shtoi ylli i “Djajve të Kuq”.

Aktualisht, nën drejtimin e Ruben Amorim, Manchester United po përjeton një periudhë të përzier, por ka arritur dy fitore radhazi ndaj Sunderlandit dhe Liverpoolit, duke rikthyer optimizmin në kampin e kuq të Manchesterit.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button