Lajme

Rama paralajmëron ndryshime në bonusin e bebes dhe thekson rëndësinë e reformave të pensioneve

Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi në qytetin e Burrelit, ka njoftuar se programi i bonusit të bebes do të pësojë një rikonceptim të plotë duke filluar nga viti 2026. Sipas tij, ndihma financiare nuk do të ofrohet më në formën e çekut, por do të zëvendësohet me një skemë të re pagesash mujore për periudha 2-vjeçare dhe 3-5-vjeçare, në varësi të numrit të fëmijëve.

“Do ta rikonceptojmë programin e bonusit të bebes duke filluar nga viti 2026 dhe në vend të ndihmës financiare me çek do ecim me një tjetër skemë me pagesa mujore, 2-vjeçare, 3-5-vjeçare. Sipas numrit të fëmijëve, kush do bëjë më shumë, do i rrimë më afër kuptohet,” u shpreh Rama.

Në qendër të diskutimit të tij ishin edhe paketat sociale që synojnë mbështetjen e fëmijëve me aftësi ndryshe, grave, të rinjve dhe të moshuarve.

Sa i përket pensioneve, Rama theksoi se qeveria e tij nuk ka dhënë asnjë premtim të pabazuar dhe se reformat e ndërmarra kanë përmirësuar dukshëm situatën. Ai kritikoi politikat e mëparshme, të cilat, sipas tij, kanë qenë të dëmshme dhe kriminale, duke lënë shumë qytetarë me pensione të ulëta dhe jo dinjitoze.

“Kemi bërë reforma që kanë ndryshuar situatën e pensioneve, dhe ata që dalin në pension pas këtyre reformave, përfitojnë pensione krejt të tjera,” deklaroi Kryeministri.

Takimi në Burrel vjen si pjesë e një sërë angazhimesh të qeverisë për të forcuar mbështetjen sociale dhe për të garantuar politika më të drejta për qytetarët.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button