Qytetari në Prishtinë dorëzon 260 euro të gjetura në rrugë, policia e vlerëson veprimin e tij

Një qytetar i Prishtinës ka dhënë shembull të lartë të ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare, duke dorëzuar në polici një shumë parash që kishte gjetur në rrugë.
Sipas Policisë Rajonale të Prishtinës, qytetari me inicialet R.V. ka gjetur 260 euro dhe menjëherë ka njoftuar autoritetet, duke ia dorëzuar shumën policisë.
“Menjëherë pas gjetjes së të hollave, qytetari ka njoftuar policinë dhe ka dorëzuar shumën prej 260 eurove, duke dëshmuar shembullin e ndershmërisë dhe përgjegjësisë qytetare. Drejtoria e Policisë së Kryeqytetit e vlerëson lartë këtë gjest human dhe falënderon qytetarin për veprimin e tij. Po ashtu, policia shpreh mirënjohje për të gjithë qytetarët që bashkëpunojnë dhe tregojnë besim të vazhdueshëm në institucionet e sigurisë,” thuhet në njoftimin e policisë.
Ky rast është një shembull i qartë i qytetarisë dhe bashkëpunimit me institucionet e sigurisë.



