AIP kërkon nga partitë politike mbrojtje të të dhënave personale gjatë fushatës zgjedhore

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka kërkuar nga partitë politike që të respektojnë ligjin dhe të mbrojnë të dhënat personale të qytetarëve gjatë fushatës për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 12 tetor.
Sipas njoftimit të AIP, partitë duhet të sigurojnë që çdo përpunim i të dhënave të bëhet me pëlqimin e qytetarëve, në interes legjitim të subjektit politik ose sipas bazës ligjore të përcaktuar. Po ashtu, ato duhet të shmangin përdorimin e të dhënave kontaktuese për qëllime marketingu politik, gjatë ushtrimit të funksioneve publike, ose pa pëlqim paraprak të qytetarëve përmes email-it, mesazheve apo thirrjeve telefonike.
AIP ka kërkuar që partitë të respektojnë të drejtën e qytetarëve për të kundërshtuar përdorimin e të dhënave të tyre për marketing të drejtpërdrejt dhe të ndërpresin menjëherë çdo komunikim pas paraqitjes së kundërshtimit. Përveç kësaj, partitë duhet të shmangin çdo formë të profilizimit ose përpunimit masiv të të dhënave të ndjeshme, përveç rasteve kur ekziston baza ligjore dhe masa mbrojtëse e përcaktuar.
Agjencia po ashtu kërkon transparencë nga partitë politike, duke i ftuar të publikojnë politika të qarta të privatësisë në mënyrë të thjeshtë dhe të qasshme për qytetarët.
“AIP ofron bashkëpunim me subjektet politike për të siguruar respektimin e së drejtës për mbrojtjen e të dhënave personale dhe bën thirrje që gjatë realizimit të aktiviteteve të fushatës zgjedhore, informatat e qytetarëve ruhen në përputhje me kërkesat ligjore,” thuhet në njoftim.



