Qytetarët e Prishtinës paralajmërohen: Uji nga Liqeni i Badocit nuk përdoret për pije

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” ka ripërsëritur thirrjen për qytetarët që furnizohen nga Liqeni i Badocit të mos përdorin ujin për pije, për shkak të përqendrimeve të larta të manganit.
Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), ndotja me mangan është kimike dhe vlimi i ujit nuk e eliminon atë. Uji mund të përdoret vetëm për pastrim, higjienën personale dhe të ambientit.
KRU “Prishtina” ka ndërmarrë masa të menjëhershme, duke zvogëluar sasinë e prodhimit për të ruajtur cilësinë, duke intensifikuar shpëlarjen e rrjetit shpërndarës, përfshirë gypat magjistral dhe sekondar.
Për të siguruar furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm për zonat e prekura, kompania do të ofrojë ujë përmes autoboteve, sipas orarit të prezantuar më parë.
IKSHPK po ashtu ka theksuar se do të vazhdojë kontrollin e cilësisë së ujit dhe bashkëpunimin me KRU “Prishtina” për të garantuar ujë të sigurt për qytetarët.



