
Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) dhe Banka Qendrore Evropiane (BQE) kanë nënshkruar një Marrëveshje Bashkëpunimi për të forcuar luftën kundër falsifikimit të kartëmonedhave euro, duke garantuar integritetin e parasë së gatshme dhe stabilitetin financiar të vendit. Marrëveshja është firmosur nga Guvernatori i BQK-së, z. Fehmi Ismaili, dhe Presidentja e BQE-së, znj. Christine Lagarde.
Sipas marrëveshjes, BQK do të ketë qasje në mekanizmat operativë të BQE-së për parandalimin dhe luftimin e falsifikimeve, si dhe do të integrohet në rrjetin profesional të bashkëpunimit me bankat qendrore të Eurosistemit dhe institucione partnere jashtë zonës euro, përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ky bashkëpunim është pjesë e përpjekjeve ndërinstitucionale të Kosovës, të udhëhequra nga BQK dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë. Ai mbështet krijimin e Qendrës Kombëtare Kundër Falsifikimit dhe të Sistemit Kombëtar për Monitorimin e Falsifikimeve, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së dhe legjislacionin përkatës të vendit.
BQK shprehu mirënjohje të veçantë për ekspertët dhe partnerët ndërkombëtarë që kanë kontribuar në këtë projekt, duke theksuar se bashkëpunimi me BQE-në do të avancojë kapacitetet institucionale, teknike dhe operacionale të Kosovës në luftën kundër falsifikimit të parasë.



