Qeveria në detyrë procedon me ndërtimin e dy urave të reja mbi Ibër, mes paralajmërimeve nga BE dhe KFOR

Pas më shumë se një viti nga përpjekja e Qeverisë së Kosovës për të hapur Urën e Ibrit për qarkullim të automjeteve, kjo çështje është rikthyer sërish në vëmendje publike. Megjithatë, kësaj radhe qeveria në detyrë, e udhëhequr nga Albin Kurti, ka ndryshuar qasje – duke paralajmëruar ndërtimin e dy urave të reja mbi lumin Ibër, pranë asaj ekzistuese.
Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Express, gurthemeli për këto ura pritet të hidhet sot, pavarësisht kundërshtimeve dhe thirrjeve për përmbajtje nga faktorë të brendshëm dhe ndërkombëtarë. Ky projekt po ndodh në një kohë kur Kosova po përballet me tensione të vazhdueshme në veri dhe shqetësime për ndikimin që mund të ketë në marrëdhëniet me aleatët kryesorë.
Në lidhje me këtë zhvillim, Gazeta Express ka kontaktuar misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, nga ku është bërë e ditur se projekti nuk bën pjesë në kompetencat e tyre.
“KFOR-i mban një prani të fiksuar në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe kryen patrullime të rregullta në zonat përreth për të siguruar një mjedis të sigurt. KFOR-i është i gatshëm t’i përgjigjet çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë në dobi të të gjitha komuniteteve në Kosovë”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Ndërkohë, edhe Bashkimi Evropian ka reaguar, duke bërë të ditur se nuk janë të përfshirë dhe as të informuar për projektin e ndërtimit të urave të reja. BE-ja ka kërkuar që vendime të tilla të merren me kujdes dhe duke përfshirë të gjitha komunitetet e prekura.
“Çdo vendim për ndërtimin e infrastrukturës mbi lumin Ibër duhet të merret me kujdes dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse”, thuhet në qëndrimin e BE-së.
Ngjashëm si tani, edhe vitin e kaluar, qeveria e Kurtit ishte përballur me kritika të forta për planin e hapjes së shpejtë të Urës së Ibrit. Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ishin shprehur të qarta se një veprim i tillë duhej të bëhej me kujdes dhe në koordinim të plotë me akterët ndërkombëtarë.
Në atë kohë, insistimi i qeverisë për hapjen e urës çoi deri në një vizitë të papritur në Kosovë të drejtorit të CIA-s, William Burns. Edhe pse vizita përfshinte disa vende të rajonit, ajo në Kosovë u interpretua si përpjekje për të parandaluar hapjen e parakohshme të urës.
Pas vizitës së Burns, kjo çështje u hesht për një kohë të gjatë, derisa njoftimi për ndërtimin e dy urave të reja riktheu në skenë shqetësimet për ndikimet që mund të ketë ky veprim në sigurinë dhe stabilitetin në veri të vendit.
Zhvillimet e reja pritet të përcillen me vëmendje të shtuar nga faktori ndërkombëtar dhe nga komuniteti në Mitrovicë, ndërsa pritet të shihet nëse qeveria në detyrë do t’u qëndrojë zotimeve për ndërtimin e urave, apo do të përballet me presione të mëtejshme për të ndaluar projektin.