Takim simbolik në Shkup: Zv/kryeministri Arben Fetai pret Albin Kurtin “si vëlla për vëlla”

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka pritur sot në Shkup Kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në kuadër të Samitit BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në kryeqytetin maqedonas.
Përmes një postimi në rrjete sociale, Fetai publikoi fotografi nga takimi dhe shprehu respektin e tij për homologun kosovar, duke shkruar:
“Si vëllau për vëlla, e prita Kryeministrin Albin Kurti.”
Ky takim ka tërhequr vëmendje edhe për shkak të të kaluarës politike të Fetait, i cili ka qenë më parë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, por më pas është shkëputur bashkë me grupin e PSD-së, duke kritikuar ashpër Kurtin dhe politikat e tij. Megjithatë, rikthimi në një pozicion të lartë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, si zv/kryeministër nga radhët e koalicionit shqiptar VLEN, duket se ka afruar sërish Fetain me ish-mentorin e tij politik.
Ndërkohë, Samiti BE–Ballkani Perëndimor në Shkup ka mbledhur liderët e vendeve të rajonit dhe përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian për të diskutuar Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe perspektivën evropiane të vendeve pjesëmarrëse.
Takimi mes Fetait dhe Kurtit vjen në një moment kyç për bashkëpunimin ndërshqiptar në rajon, si dhe për rolin e koalicionit VLEN në qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut.