PSG pranë goditjes së radhës në merkato: Zabarnyi drejt “Parkut të Princave”

Paris Saint-Germain është shumë pranë finalizimit të një tjetër transferimi të rëndësishëm në këtë merkato verore. Kampionët e Europës janë në bisedime të avancuara me Bournemouth për qendërmbrojtësin ukrainas Illia Zabarnyi, një nga emrat më premtues të Premier League.
Sipas burimeve të afërta me klubin, negociatat janë intensifikuar ndjeshëm në ditët e fundit dhe një marrëveshje përfundimtare pritet të arrihet në fillim të javës së ardhshme. Madje, presidenti i PSG-së, Nasser Al-Khelaïfi, është përfshirë personalisht në bisedime për të siguruar transferimin e 22-vjeçarit.
Zabarnyi është një kërkesë specifike e trajnerit Luis Enrique, i cili kërkon të forcojë më tej repartin e mbrojtjes përballë një sezoni të ngjeshur dhe sfidues. Spanjolli e sheh ukrainasin si një alternativë cilësore që mund të kompletojë dyshe të re me Marquinhosin ose William Pacho, duke sjellë thellësi dhe garanci në prapavijë.
I formuar te Dinamo Kiev, Zabarnyi ka bërë hapa të mëdhenj në karrierë që nga transferimi te Bournemouth. Nën drejtimin e Andoni Iraolas, ai është shndërruar në një nga mbrojtësit më të vlerësuar të ligës angleze, falë aftësive në ndërtimin e lojës, leximit të situatave dhe qëndrueshmërisë në duele.
Edhe pse ende i ri në moshë, pjekuria dhe potenciali i tij e kanë bërë objektiv për shumë klube elitare, por PSG duket se është më afër firmës. Marrëveshja parashikohet të përfshijë një shumë të konsiderueshme, por drejtuesit e klubit parizien besojnë se investimi do të justifikohet në kohë.
Nëse gjithçka përmbyllet me sukses, Illia Zabarnyi do të jetë përforcimi i radhës i një PSG-je që nuk e ka ndalur hovin pas triumfit historik në Champions League dhe që synon të ndërtojë një skuadër edhe më të fuqishme për mbrojtjen e fronit.