Haradinaj: Masa e Kushtetueses është shumë e shkurtër, Kurti po e mban peng Kosovën

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për vendosjen e një mase të përkohshme për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Sipas tij, masa e caktuar prej vetëm dy javësh është shumë e shkurtër dhe tregon se pritet një vendim përfundimtar brenda kësaj periudhe.
“Si e tillë është vetëkuptuar edhe me vendimin e parë që të ketë një afat 30-ditor. Masa është shumë e shkurtër, vetëm dy javë, që i bie që Gjykata do të dalë edhe me një vendim të ri brenda dy javëve. Shpresoj që do të jetë një zgjidhje finale. Deri më 8 gusht janë vetëm dy javë dhe do të dalë me siguri me një sqarim të ri, me një masë finale se si do të veprohet, për shkak se më 27 korrik përfundon afati 30-ditor. Është dashur të përmbyllet me një proces final”, deklaroi Haradinaj për Ekonomia Online.
Ai theksoi se dëmet që po shkaktohen nga situata e krijuar janë të mëdha në fusha të ndryshme, duke përmendur ekonominë, sigurinë dhe reputacionin ndërkombëtar të Kosovës.
“Dëmet janë të shumta si në planin e brendshëm ekonomik, të sigurisë, planin e jashtëm ndërkombëtar me kredibilitetin tonë. Dëmet financiare që nuk po i marrim fondet që na takojnë. Buxheti nuk po funksionon, të gjitha këto janë pasoja. Ishte dashur të shfrytëzohej 30-ditëshi për t’u gjetur formula për të zgjedhur kryeparlamentarin, sepse ka opsione për krijimin e qeverisë. Nëse jo, është dashur t’u kalonte e drejta partive të tjera”, tha ai.
Haradinaj akuzoi kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, se po bllokon proceset shtetërore dhe se, sipas tij, veprimet e tij i shërbejnë interesave të Serbisë dhe Rusisë.
“Po e shihni që zoti Kurti po e mban peng Kosovën, e ka ndarë mendjen të bëjë keq e më keq vendin. Krejt çka po i ndodh Kosovës është në favor të armiqve të Kosovës, më së shumti të Serbisë dhe Rusisë. Ai po e udhëheq me përpikëri agjendën e tyre”, përfundoi kreu i AAK-së.